Poezi nga Ioan Romeo Rosiianu

Scris de Baki Ymeri. Posted in Sos Romania


SHPIRTI ËSHTË NË SHËTITJE ME MENDIMIN

 

Kaloj rrugëve që kanë shije kremtimi

mes drurëve e blloqeve duket qielli i lartë

pas shiut qyteti ka aromë të bukur

pas shërbesës së Pashkës kisha ësht’e zbrazët

të shenjtërit e ikonave kanë shikime të kthjellta

të kthjelltë u duken sytë pas adhurimit njerëzor

pas faljes hyjnore të gjithë zhurritemi.

 

 

Vjen mbrëmja me pëshpëritje n’qytetin me 50 kisha

në të me të gjitha besimet e botës duke u zhurritur

shpirti im gjendet në shëtitje me mendimin

jeta ime pason të qëndrojë edhe më tej në pritë

deri dje nuk kisha frikë nga vdekja

sot kam më shumë se sa dje

e më pakë se sa ditën e nesërme.

 

POEMA E KËSAJ VERE, E DASHUR

 

Poema e kësaj vere do lindë në mëngjes e dashur

do jemi dëshmitarë për bërjen e saj dhe n’udhëkryqin e dritës do pagëzohemi

do jemi në rradhë prindër fatmirë apo vëllezër

ndoshta të shenjtërit e fjetur në altarë do jemi ndoshta qirinj ende të padjegur.

 

Poema e kësaj vere do lindë në mesditë e dashur

do jemi përballë kur hija do ta përvetësojë me trishtim dheun

do numërojmë në gishtërinjtë shyt çastet e kulluara ngadalë

ngadalë do fshehim në fjalë silabën e dëshiruar.

 

Poema e kësaj vere do lindë kah mbrëmja e dashur

me sytë e zvogluar do ta masim horizontin e shkretë

blici i yjeve t’perënduar mes qiejve do arrijë për tepër vonë te ne

ne do të jemi të vetmuar me ujqërit në lëndinat e heshtjes.

 

Poema e kësaj vere do lindë madje dhe pa ne e dashur!

 

POEMË PËR MË VONË

 

Qetësia po vidhoset në ajrin e natës

yjet s’thonë asgjë dhe e kundrojnë dritën e tyre të stërblertë

në televizorin kolor jeta duket përherë bardh/e/zi

gjithmonë përrallat mund të reduktohen në gëzim e trishtim

në dashuri e urrejtje në plus dhe diçka në minus.

 

Jeta ka shije të njelmët kur derdhet shpejt e më kot

mjerimi vërshon shpirtin më parë duke zbritur në rrugë

çdo gjurmë në kalldërma për nga një trup flet

çdo kujtim ka parfumin e hijes

çdo ditë përmbyllet me një natë

çdo gjë që e ngrejmë e shpalojmë tjetrin

çdo çast që e fillojmë e mbarojmë në një jetë tjetër.

 

Kemi frikë nga vdekja por s’e themi nga frika e saj

shtirremi se jemi të lumtur dhe tallemi me vetë kohën

e pasigurtë është gjithçka në botë deri sa dhe koha ndoshta

ndoshta gjithçka është e mundshme të jetë kohë e mundshme

mundësisht të jetë kjo kohë e dashur

s’i kushton asgjë të jetë e tillë

ësht’fjala për jetën tonë dhe jeta jonë ësht’në lojë

atëherë kur po jetojmë kaq pak

ajo bëhet dhe më e shkurtë kur e shohim se ësht’e shkurtë

thuajse zhgënjimi na mban ngrohtë

kështu gënjehemi me paturpësi me pandjeshmëri

refuzojmë t’i japim jetës atë që është e saj

trupit ç’është e tij dhe shpirtit atë që e meriton.

 

MBI ÇARÇAFIN E POETIT...

 

Mbi çarçafin e Poetit një virgjine në shpirt ka lënë

një gjurmë gjaku e lotësh

gjurma e trupit të saj të pashtrydhur nga dashuria

nuk i ka humbur të gjitha konturet

ende noton në odë klithja e saj nga dhimbja

nga  kënaqësia erëtima e gjirit të pafermentuar

buzët me shenja pecetash plagosen

dhe tani kujtimi i poetit të mbetur vetëm

e çan klepsidrën e pakthyer në kohë

(ka vajtur kaherë, ka vajtur dje,

ka vajtur sot?).

 

Sytë e Poetit ia kërkojnë gjurmët në në qylimin prej jute

gjurma i kanë mbetur në gjithë librat e saj

lëngu i jetës së derdhur në shpirt lajmëron

gostinë me vdekjen perverse të shëmtuar.

 

Mbi çarçafin e Poetit një virgjine në shpirt ka lënë

një gjurmë gjaku e lotësh

një shumicë pëshpëritjesh buzëqeshjesh e fshehtësishë

dhe askush  s’di gjë për vuajtjen  e shuar gjatë natës

nga fshehtësia që e mban në plëndësin e saj

një virgjine në shpirt me emër të harruar një grua

nga nata në të cilën Poeti deshi

të shënojë një debutim në dashurinë e dikujt

kujtim i tharë mbi altarin e përjetimit...

 

GRUAJA E FUNDIT PAGANE I SHKËPUTI POETIT

 

Gruaja e fundit pagane ia shkuli Poetit një lot të ftohtë

ia mori shpirtin dhe u degdis e zbathur në natë

Poeti mbeti vetë duke i shërruar trishtimet e shumta

duke bërë inventarin e kujtimeve të tij endacake

duke pritur të vijë sekonda në të cilën në derë

t’i trokasë gruaja pagane me shpirtin në duar.

 

Nganjëherë trishtimi ka shije dhe erë balsami

tjetërherë  uria për jetë e përgjon

shpeshherë dremitje në ndjenja e fjalë

dhe më rrallë pavdekësi të ndjerë mes vitesh.

 

Gruaja e fundit pagane ia shkuli Poetit një lot të ftohtë

idila rritet mes tyre sa hija e largësisë së gjatë

dhe as s’e dij se i përkisnin njëri-tjetrit që nga krijimi i botës

gjendja e lotit ia vërrshon papritmas syrin –

çdo njeri ka një shqetsim në dhembjen e Poetit më shumë

është ditë tashmë dhe hapi refuzon shtegun e ditur

engjëjt shoshisin pavdekësitë dhe besimet në botë

rritet trishtimi largësia e pëshpëritjeve

në zemrën e Poetit të mbetur vetë gruaja pagane s’është.

 

MA DHE NJË NATË NGA JETA JOTE

 

Ma dhe një natë nga jeta jote

grua të cilës së paku as emrin e vërtetë nuk ia di

m’i mbështolle me shpirtin tënd disa orë

orët e errëta të natës së zymtë

u shterrën me dhimbshmëri të shpejtë n’askundshmëri

pranë trupave tanë të çveshur të bashkuar në

përpëlitjen e një pasioni të pashpresë përpara

më valëzove me shpirtin tënd gjatë natës ku

yjet dridheshin pas shpinës së reve tymosje shuaan

mëkatet e botës të thara ishin në arterjet

e shirave të përgjakshme në pika t’përzhitura nën syrin e diellit

rreshje e dëborësuar në vetë rezet e vetmuara mes qiejve

 

të shpuzuara me engjëj ishin shikimet me të cilat më përqafove

trupi i ngrohtë flokët e derdhur përgjatë krahërorit tim

ma dhe ajrin e gojës për të cilin kisha aq nevojë

shpresën se nesër do të përsërisish gjestin gabimin

për të më dashur për t’ma shtrydhur shpirtin me gjinjtë e rrumbullaktë

ma le në retinë fytyrën tënde prej engjëlli me emër të panjohur

flokë/zeshkane dhe sy të blertë e një trup prej gruaje të cilën

krejt zanat mund ta xhelozojnë nëpër ujërat e përrallës së harruar pa ëndërruar

pa menduar dhe i plagosur isha në pritjen tënde

 

ike duke u përngutur  pas

mjegullave nga të cilat erdhe për një natë

pranë meje t’u gëlltit hija e pangopshme

unë mbeta i qarë i uritur lakuriq i pashëlbyer pa ty

 

prej atëherë bie shi në zemrën time me kujtime

me buzëqeshje të ditura edhe tani përmendësh

me erëtima të mbetura mes jastëqesh

dhe si një gjurmë trupi të kryqëzuar në çarçafa.

 

DO MUNDJA TË SHOH NË TY

 

Do mundja të shoh në ty një engjëll të uritur për shenjtëri

po të mos ishin të thella plagët e shiut të tharë mes gjetheve

dhe fjala e përplasur nëpër qoshe

po të rritej si një mallkim dregëza e klepsidrës

sekonda e kaluar në balsam

në rëra përvëlimtare janë buzët e qiellit

i martuar me ngrica të kaltërta e me një fjollë tymi

duke kujtuar dorëzat e burimit të dredhur në thellësi

nga qarja lotët e rrumbullaktë u bëjnë roje horizonteve të zymta

të shoshitura mes përjetimeve të ashpra janë hijet

si do murgj duken plepat në brigjet e botës

si do reze të mveshura me mjergulla.

 

Do mundja të shoh në ty një engjëll të uritur për shenjtëri

po të mos ishte gjurma mes degëve të horizontit

dhe një gjurmë gjatë shtegtimit për në yje

vijnë terratisje të një çasti dhe reze të dredhura

në majë mbajnë bjeshkët mrekullinë e lartësisë

dhe frika shndërrohet në stuhi në rropullitë e trupit

të prekur nga dyshime të përkohshme ëndërrime të sëmura.

 

Do mundja të shoh në ty një engjëll të uritur për shenjtëri

po të mos depërtonte qetësia në këtë stuhi

që s’do ta shaje si një pagan i patrembur të shkuarën tënde

duke harruar gruan e dashur me afsh të zjarrtë.

 

VJEN NJË KOHË

Poetit Radu Săplăcan

 

Vjen një kohë ku errësira shuhet

në gjethe era turfullon nga vera e vonë

mesdita pulson drita të ndotura në qoshe

heshtja ngrin në fërfëllimë pëshpëritjesh të thella

e mbushur kalldërmaja me gjurma e tinguj

shuhen mes dritash mallkime e këngëtime

hapi i zbathur e përvetëson shtegun në gjurma

fryn flladi muzgëtimit me freski përpëlitëse

dhe n’syrin e zhurritur nga përgjërimi shushurit hapsira e njohur.

 

Vjen një kohë kur era e huaj vërshon heshtjen

dhe vjen më parë mbrëmja e pastaj mëngjesi virgjin

do jetë më e gjatë kënaqësia dhe më pak e rëndë ndarja

do ketë mjegull mes hijeve e dritës mes reve do ketë.

 

Vjen një kohë kur kotësia bëhet monedhë këmbimi
mes dy botëve ura kalimi në drejtim të hiçit

ka patur diell në rrugë dhe në shpirtin tim stuhi

askush nuk e ka luajtur lojën e ditur

askush s’ka pirë helmin e shenjtëruar në dhembje.

 

Vjen një kohë kur rëra vetëvritet në klepsidrë

derdhje e imtë në drejtim të hiçit

prehje pa të shenjtër në darkën e fshehtë

dhe pa ylberim-besnikëri mes Zotit e botës.

http://www.zemrashqiptare.net/news/id_40189/Poezi-nga-Ioan-Romeo-Rosiianu.html

Share
Copyright © NecenzuratMM.ro 2009-2024